SHOWBIZ / Mallkimi i famës detyron Vipin të dalë rrugëve i maskuar

Lajme

I neveritur dhe i velur nga fama, Vipit nuk i bëhej të dilte përjashta. Duke zbritur nga shtëpia drejt makinës, femra që shkulnin flokët, demokratikas që shkulnin mustaqet dhe mjekrat bëheshin kapicë për t’i marrë një firmë ose një buzëqeshje. Madje njëherë edhe një plak 90 vjeçar kishte zbritur nga malësia dhe kishte ndjenjur dy ditë e netë poshtë pallatit.

“Çfarë do xhaxha”, e kish pyetur içogllani i turnit.

“Du me taku Vipin, bre. Du me i mar’ nji epitaf!”, tha plaku krenar.

“Mos e ke llafin për autograf?”, e korrigjoi jeniçeri.

“S’ka randsi,” ja ktheu plaku, “mjaft ta kem me t’shkrume”.

Nga makina në zyrë, e njëjta histori. Fansa, dashamirës dhe demokratikas të vjetër e të rinj që e ndiqnin me dashamirësi për t’i dhuruar domate të pjekura, vezë fshati me glasë apo kupa me kos, në pamundësi për t’ja dhënë në dorë, ja hidhnin në xhamat e blinduar.

“Duhet bërë diçka, dua të dal në natyrë një herë të vetme, të mbushem me ajër pa më njohur kush,” tha Vipi me vete një ditë prej ditësh, dhe e vendosi.

Do të maskohej.

Pasi provoi disa kapele para pasqyrës teksa mërmëriste i stresuar, “ehhh, kjo bukuri është bërë mallkimi im”, i pëlqeu njëra. Ishte ngjyrë blu. E rrasi deri rrëzë veshëve dhe mbajti qëndrim. Po t’ja ulte strehën dhe të ndalonte së buzëqeshuri, bëhej krejt tjetër njeri.

“Tani po,” tha, dhe nga kënaqësia i shpëtoi një buzëqeshje, por u frenua në çast. I futi një dackë ndëshkimore vetes dhe bërtiti para pasqyrës:

“Mos buzëqesh mor pallë, se do zbulohesh!”

Doli rrugëve. Nga pas e ndiqnin në njëfarë distance, një grup burrash e burrecësh çerek vipa që mbanin kapele blu dhe xhinse, njësoj si ai. Kur mbërritën në një kalçeto plot me të rinj, Vipi e kuptoi se grupi i tij do ngjallte dyshime.

“Ju të tjerët hiqni kapelet se lamë nam,” urdhëroi Vipi shpurën. Të tjerët i hoqën menjeherë dhe Vipi buzëqeshi i lehtësuar….

“Mooos, e hëngra!” nuk arriti të përshpëriste me vete Vipi, kur grupi i të pranishmëve që pikasën buzëqeshjen e parezistueshme, iu mblodhën rrotull si ato insektet asaj gjësë.

Vipi vështroi me inat shoqëruesit, dhe pastaj, pa ç’pa, nisi të shpërndante epitafe…

Shënim: Gojët e Liga është rubrikë satirike që përpiqet të frenojë buzëqeshjet

Leave a Reply

Your email address will not be published.